Secondary Adv

Çmimet e ushqimeve në 2025, Shqipëria i reziston inflacionit, Kosova e dyta në Evropë pas Turqisë

Shqipëria u rendit ndër vendet me inflacionin më të ulët të ushqimeve në Europë në vitin 2025, me vetëm 2.1%, dukshëm nën mesataren e Bashkimit Europian dhe shumë më poshtë se vendet e rajonit.

Në vitin 2025, Shqipëria është pozicionuar ndër vendet me inflacion relativisht të ulët të ushqimeve në Europë, me një normë prej 2.1%, sipas të dhënave të Eurostat. Ky nivel është dukshëm më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian prej 2.8% dhe reflekton një qëndrueshmëri më të madhe të çmimeve krahasuar me shumicën e vendeve të Ballkanit dhe Europës Lindore.

 

Në skajin tjetër të renditjes qëndron Turqia, me një inflacion shumë të lartë të ushqimeve prej 32.8%, duke reflektuar problemet e thella monetare dhe makroekonomike. Edhe në rajon, presionet mbi çmimet kanë qenë më të forta se në Shqipëri, me Kosovën që regjistroi inflacion 7.6% dhe Rumaninë 6.7%. Krahasuar me këto vende, Shqipëria ka pasur një performancë dukshëm më të mirë në kontrollin e çmimeve ushqimore.

 

Shqipëria nën mesataren e BE-së

Në grupin e vendeve me inflacion mesatar të ushqimeve, midis 3% dhe 5%, renditen disa ekonomi të qëndrueshme të Bashkimit Europian, si Sllovenia dhe Kroacia me 4.7%, Danimarka me 4.4%, Polonia me 4.3% dhe Holanda me 3.5%. Edhe ndaj këtij grupi, Shqipëria me 2.1% qëndron më poshtë, duke reflektuar presione më të kufizuara inflacioniste.

 

Në anën tjetër të spektrit, disa vende kanë shënuar inflacion shumë të ulët ose edhe rënie të çmimeve të ushqimeve. Franca regjistroi vetëm 0.7%, Finlanda 1.4%, ndërsa në Zvicër çmimet e ushqimeve ranë rreth 1% gjatë vitit 2025.

 

Lëvizje të forta sipas produkteve

Në nivel europian, tendencat sipas kategorive të ushqimeve kanë qenë të pabarabarta. Çmimet e çokollatës janë rritur me 17.9%, frutat e ngrira me 13%, mishi i viçit me 10%, vezët me 8.4% dhe gjalpi me 8.3%. Në të kundërt, vaji i ullirit ka pësuar një rënie të fortë prej -22.9%, sheqeri -11%, ndërsa vajrat dhe yndyrnat rreth -5%.

 

Si një ekonomi e hapur dhe e varur nga importet ushqimore, Shqipëria ka reflektuar pjesërisht këto lëvizje në tregun e brendshëm, por me intensitet dukshëm më të ulët krahasuar me shumë vende të tjera.

 

Inflacioni sipas kategorive në Shqipëri

Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2025 inflacioni i ushqimeve në Shqipëri ka qenë i ndryshëm sipas produkteve. Te mishi i viçit, rritja ishte 6%, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me inflacionin më të ulët në Europë, krahasuar me Holandën me 23%, Kroacinë me 22% dhe mesataren e BE-së prej 10%. Edhe vendet e rajonit kanë pasur norma më të larta, si Kosova me 14% dhe Maqedonia e Veriut me 12%.

 

Te çokollata, Shqipëria shënoi rritje minimale prej vetëm 1%, niveli më i ulët në Europë, ndërkohë që Polonia, Lituania dhe Estonia regjistruan rritje mbi 30%, ndërsa mesatarja e BE-së ishte 18%.

 

Te frutat e ngrira, Shqipëria ishte ndër të paktat vende me rënie çmimesh, me -3%, në një kohë kur shumica e vendeve europiane shënuan rritje të forta, deri në 32% në Estoni dhe 13% në mesataren e BE-së.

Te gjalpi, inflacioni në Shqipëri ishte 3%, nën mesataren e BE-së prej 8% dhe shumë më i ulët se në Kosovë, ku arriti 21%. Ndërkohë, te vezët, Shqipëria regjistroi rritje prej 15%, mbi mesataren e BE-së prej 8%, duke reflektuar presion më të madh në këtë kategori specifike.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat